Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi zhvilloi një vizitë në Fabrikën e Kërpudhave Fungo ShPK, e cila ndodhet në qytetin e Kamenicës.
Kjo fabrikë është përfituese e nënmasës 7.1 të Programit të Përkrahjes së Zhvillimit Rural, pra për Grumbullimin dhe përpunimin e produkteve jodrusore të pyllit përfshirë bimët mjekësore aromatike.
Gjatë vizitës, Zëvendësministri u takua me stafin e fabrikës dhe pati mundësinë të shohë nga afër procesin e prodhimit të këpurdhave, nga kultivimi deri në paketim. Ai theksoi rëndësinë e inovacionit dhe teknologjisë në rritjen e efikasitetit të prodhimit dhe cilësisë së produkteve.
“Fabrikat si kjo luajnë një rol kyç në zhvillimin e bujqësisë së vendit tonë. Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur fermerët dhe prodhuesit, përmes iniciativave që përmirësojnë infrastrukturën dhe qasjen në treg”, tha Zëvendësministri Demelezi.
Vizita përfshiu gjithashtu një diskutim mbi sfidat që përballen prodhuesit e këpurdhave dhe mundësitë për të rritur kapacitetet e prodhimit në të ardhmen.
Zëvendësministri për fund theksoi se do të vazhdojnë në krijimin e politikave që do të nxisin zhvillimin e sektorëve të rinj dhe do të sigurojnë mbështetje për prodhuesit vendor.



